Drejtori i Urgjencës i prekur nga koronavirusi, Meta: Shërim të shpejtë, prioritare mbrojtja e mjekëve – A2

Drejtori i Urgjencës i prekur nga koronavirusi, Meta: Shërim të shpejtë, prioritare mbrojtja e mjekëve

Ilir Meta Presidenti  1100x620

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i shprehu solidaritetin doktorit Skënder Brataj dhe familjarëve të tij pas publikimit të lajmit se ai është mes personave të prekur me koronavirus.

Kreu i Shtetit i uroi shërim të shpejtë drejtuesit të Urgjencës Kombëtare dhe përsëriti thirrjen për përforcimin e masave mbrojtëse për mjekët dhe infermierët.

“Uroj shërim të shpejtë për Drejtorin e Urgjencës Kombëtare, Dr.Skënder Brataj. I shpreh solidaritet edhe familjes së tij në këto momente të vështira, besimplotë se sërish do t’i bashkohet ekipit të mjekëve në vijën e parë të luftës me pandeminë.

Është tepër e rëndësishme dhe prioritare të forcohen masat mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët me përkushtim, profesionalizëm dhe sakrifica të jashtëzakonshme janë të ekspozuar përballë një rreziku të madh, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari”, shkruan presidenti në Facebook.