Mjekja shqiptare në Itali: Karantina po jep efekt, qëndroni në shtëpi – A2

Mjekja shqiptare në Itali: Karantina po jep efekt, qëndroni në shtëpi

Këto ditë, bota po përballet me pandeminë e koronavirusit, e cila na ka treguar se shqiptarët punojnë si mjekë apo edhe në pozicione të tjera mjaft të rëndësishme, në shtete të ndryshme të botës.

Në Italianë fqinje, janë të shumtë shqiptarët që punojnë në vijën e parë të frontit në luftën ndaj koronavirusit. Një prej tyre është edhe Adela Sulejmani, mjeke në Monza.

Në Ditarin e orës 13:00, Sulejmani foli për gjendjen aktuale nga koronavirusi në shtetin fqinj. “Dy ditët e fundit është vënë re një trend në rënie edhe pse numri i të vdekurve është sërish shumë i lartë. Besoj se karantina po jep efektet e saj pasi shërben për të ndërprerë zinxhirin e një pandemie.

Shumica e personave do ta kalojnë këtë virus pa pasur probleme. Të rinjtë e kalojnë me shenja të lehta, personat që kanë patologji të tjera kanë më shumë vështirësi, por mesazhi nuk duhet të kuptohet se personat në moshë të thyer nuk ja dalim, pasi ka shumë raste këtu në Itali kur të moshuarit janë shëruar”.

Edhe një apel për qytetarët shqiptarë: “Ka ardhur momenti që të gjithë të bëhemi të përgjegjshëm. Ky virus nuk zgjedh kë prek, të pushtetshëm apo jo, të rinj apo jo. Të qëndrojmë të izoluar, që nesër të vazhdojmë jetën normalisht.”