Nevoja stimulon krijimtarinë, maskat e thjeshta që po dhurohen në Kosovë

Një ide tepër kreative është vënë në zbatim së fundmi në Kosovë, për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së koronavirusit, ku deri tani janë konfirmuar 16 raste, ndërsa 1 person ka humbur jetën.

Pjesëtarët e organizatës “Balkan Sunflowers” në Prishtinë, të ndodhur përballë nevojës për t’u mbrojtur përballë kësaj pandemie dhe nevojës së qytetarëve për t’u pajisur me maska mbrojtëse si, kanë arritur t’i realizojnë vetë ato, madje edhe duke ia dhuruar atyre që kanë më shumë nevojë.

“Duke marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike të komuniteteve minoritare egjiptiane dhe ashkalinj dhe romë, që jetojnë në komunën e Fushë-Kosovës dhe të tjera, kemi vendosur që t’u vijmë në ndihmë”, tha drejtori i kësaj organizate joqeveritare Muhamet Arifi. Ai shpjegoi se për të ndërtuar këto maska janë përdorur materiale të lira dhe higjienike. “Kemi përdorur letër kuzhine, kapëse letrash dhe dy llastiqe”, tha ai. “Deri tani kemi realizuar 2000 maska dhe janë shpërndarë në këto komunitete. Do të përpiqemi t’i shpërndajmë kudo”.