Shkencëtarët në Singapor, studim gjenetik për të arritur më shpejt vaksinën

Zgjidhja kundër pandemisë koronavirus mund të vijë nga Singapori. Shkencëtarët atje kanë zhvilluar një mënyrë të re për të gjurmuar ndryshimet gjenetike, gjë e cila përshpejton testimin e vaksinave kundër Covid-19, që ka vrarë mbi 17 mijë persona në të gjithë botën.

Studiuesit në Shkollën Shtetërore të Mjekësisë në Singapor, theksojnë se teknika e tyre ka nevojë vetëm për pak ditë për të vlerësuar një vaksinë potenciale dhe efektshmërinë e saj. Kjo shkollë është zgjedhur nga firma amerikane “Arcturs Therapeutics” për të testuar zbulimet në luftën kundër pandemisë.

“Në vend që të presim 6 muaj për të parë nëse një vaksinë funksionon, ne do ta mësojmë këtë nga 3 deri në 5 ditë. Do të zbulojmë nëse ajo aktivizon gjenet e duhura dhe cilat nuk duhet të vendosen në punë, në mënyrë që të na çojë drejt zhvillimit të një sistemi të mirë imunitar për t’iu kundërvënë virusit”, tha Ooi Eng Eong, shkolla e mjekësisë në Singapor.

Në vend të testimeve direkte te pacientët, shkencëtarët përdorin një qasje molekulare për të matur rezultatet e testimit të një vaksine që lufton koronavirusin e ri. Gjithashtu përcakton nivelin e efektshmërisë dhe efektet anësore.

Aktualisht nuk ka asnjë ilaç të aprovuar apo konfirmuar, në gjendje të luftojë virusin vdekjeprurës. Shumica e pacientëve marrin vetëm përkujdesje mbështetëse, që i ndihmon ata në frymëmarrje. Teste të vaksinave të ndryshme po kryhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kinë, por edhe në vende të tjera të botës, megjithatë një rezultat konkret nuk është arritur ende. Ekspertët dhe OBSH-ja paralajmëruan se duhet të presim deri në 1 vit për një vaksinë funksionale dhe efikase kundër koronavirusit, por ndoshta kjo metodë e re testimi do të shkurtojë këtë kohë pritjeje.