Thaçi për kufizimet e lëvizjes për koronavirusin: Antikushtetuese, qytetarët mos t’i respektojnë

thaci8 600x338

Vendimi i qeverisë të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve në Kosovë si pjesë e paketës për parandalimin e koronavirusi, ka sjellë në orët e vona të mbrëmjes reagimin e ashpër të presidentit Hashim Thaçi.

Thaçi gjykon se masat e marra janë antikushtetuese, sepse “ndalimi i lëvizjes së qytetarëve bëhet vetëm atëherë kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, diçka që është kundërshtuar nga qeveria kosovare.

Thaçi i bëri thirrje popullsisë dhe forcave të rendit të mos respektojnë udhëzimet e qeverisë, si dhe deklaroi se do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese anulimin e vendimit.  

Ndër masat e miratuara sot nga qeveria Kurti është ndalimi i qarkullimit të personave  dhe automjeteve gjatë orës 10:00–16:00 dhe 20:00–06:00, përtej rasteve të veçanta dhe të autorizuara.

I ashpër në reagim edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që e quajti vendimin të rrezikshëm për lirinë personave, dhe që “çdo tendencë si kjo e sotshmja që krizat të shfrytëzohen për vendime të njëanshme për të vendosur kontroll, është veprim për diktaturë”.