146 të prekur, Rakacolli për A2: Ishte e pritshme, kishim 100 mijë të ardhur nga Italia – A2

146 të prekur, Rakacolli për A2: Ishte e pritshme, kishim 100 mijë të ardhur nga Italia

Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë, foli në A2 mbi situatën aktuale nga koronavirusi në vendin tonë, duke u shprehur se aktualisht janë konfirmuar 146 të prekur dhe për të kjo ishte një situatë e parashikuar.

“Tashmë, me shtimin e rasteve, është zgjeruar edhe harta. Kemi raste në Krujë, Lezhë, Berat. Situata është e pritshme, pasi është e lidhur me lëvizshmërinë. Rreth 100 mijë shqiptarë, që kanë ardhur nga Italia, janë shpërndarë në të gjithë vendin. Nuk ka ndonjë shpërthim që të jetë jashtë kontrollit. Nëse vazhdojmë me këto ritme, situata është nën kontroll”, u shpreh Rakacolli.

Zëvendësministrja përmendi edhe 17 rastet e shëruara tashmë. “Një lajm i mirë është se deri tani kemi edhe 17 të shëruar, të cilëve u janë marrë 2 tamponë dhe kanë rezultuar negativë. Tashmë, këta persona duhet të qëndrojnë edhe 2 javë në karantinë”.

A po bëhen pak testime në Shqipëri? Ministria e Shëndetësisë, e mohon këtë, duke deklaruar se numri është normal. “OBSH thotë “test, test, test’’, por aty ku dyshohet. Dyshimi është shumë i përcaktuar, në Shqipëri epidemiologët tanë, kanë sugjeruar numra të arsyeshëm për zgjerimin e kampionit. Në 111 kampione, por vetëm 23 rezultuan pozitivë. Numri i testimeve luan rolin e ndërprerjes së zinxhirit transmetues”, tha zv/ministrja Mira Rakacolli.

Lidhur me pyetjen nëse janë testuar apo po testohen ata që kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me shefin e urgjencës kombëtare, Skënder Brataj, i cili të martën rezultoi i prekur nga Covid-19, Rakacolli tha se, nëse ekspertët e epidemiologjisë do të sugjerojnë që janë të prekur dhe duhet të bëjnë testin patjetër që duhet ta bëjnë.

“Po flas për veten time: unë kam qenë në krah të zotit Skënder më datën 10 mars dhe që prej asaj dite ka kaluar 14 ditëshi i infeksionit. Kurse në mbledhjet e Task Forcës, kemi nxjerrë fotografitë dhe kemi ruajtur distancat. Po flas për personin tim, mua nuk më është sugjeruar. Është krejtësisht në dorë të ekspertëve. Ne bëjmë çfarë thonë ata si për të gjithë popullsinë. Ata persona që ekspertët i konsiderojnë rrezik të mundshëm për veten e tyre, për familjet e tyre, për ne që punojmë me ta, patjetër që do t’i nënshtrohen testit. Por mos të harrojmë një gjë: nëse sot je negativ në test, në njerëz që janë vazhdimisht në terren në përballje me sëmundjen nuk është e thënë që janë të mbrojtur, mund ta marrin sëmundjen. Izolimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur”, tha zv/ministrja e Shëndetësisë.