“Drita jeshile” për negociatat, Krasniqi: Shqipëria s’ka ndryshuar nga tetori, BE-ja po

“Drita jeshile për negociatat është një lajm i mirë sepse ka një ndryshim gjeostrategjik. Në tetor pati një zhgënjim masiv. Nga ajo kohë deri tani, në Shqipëri nuk ka ndryshuar asgjë, por ka ndryshuar Bashkimi Evropian”.

Kështu u shpreh analisti i A2, Afrim Krasniqi, i ftuar në Ditarin e orës 09:00. Ai theksoi se tashmë nuk ka më alibi në rrugën drejt anëtarësimit në BE, por vetëm plotësim të detyrave të shtëpisë. “Është detyrë e qeverisë për të krijuar një agjendë konkrete”, tha Krasniqi.

Sa i përket metodologjisë së re të zgjerimit të Bashkimit Evropian, analisti tha se mund të kthehet në një pengesë të madhe për Shqipërinë. “Me metodologjinë e re është krijuar një hapësirë më e madhe, duke pasur në mënyrë të vazhdueshme provimesh. Kjo është më praktike, por si një vend me shumë probleme, kjo do të kthehet në një pengesë të madhe për Shqipërinë. Çdo vendi anëtar, sot i lind e drejta për të vendosur kushte për një vend aspirant. Ashtu siç ndodhi edhe me Greqinë.”

Ai komentoi edhe shpalljen e fatkeqësisë natyrore si pasojë e pandemisë së koronavirusit. “Ne jemi në situatë të jashtëzakonshme që nga 27 nëntori, pas tërmetit. Në praktikat tona nuk ka ndonjë dallim të madh. Ne gati jemi gjithmonë në një situatë të jashtëzakonshme. Nuk do të ketë një ndikim të madh për qytetarët, por ndikimi do të jetë ligjor. Ne e dimë që një numër biznesesh po falimentojnë dhe janë një sërë sektorësh që do të kenë një kosto shumë të lartë”, tha Afrim Krasniqi.