“Drita jeshile” për negociatat, Tabaku: Proces i ndryshëm për Shqipërinë, për të mos e ndarë nga Maqedonia e Veriut

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, foli në A2 për marrëveshjen e arritur një ditë më parë në Këshillin e Ministrave të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Tabaku u shpreh se për Shqipërinë është një proces i ndryshëm nga të gjitha vendet e tjera dhe sipas saj, kjo është bërë për të mos e ndarë vendin tonë nga Maqedonia e Veriut.

“Një lajm i mirë që duhet të kishte ndodhur me kohë. Më fund, arritëm në një fazë të re. Është një proces i ndryshëm nga të gjitha vendet e tjera, por qeveria duhet ta mirëpresë. Kjo paketë është ofruar për të mos e ndarë Shqipërinë nga Maqedonia. Kushtet e shtuara janë një tregues i qartë si një proces i vështirë për Shqipërinë, por i ndershëm. Ky është një proces merite dhe pa i plotësuar ato kushte nuk mund të bëhesh anëtar. Por është një sinjal shprese për të gjithë ne”, u shpreh ish-deputetja e PD.

Me metodologjinë e re, Tabaku shprehet se ekziston rreziku për pezullim të procesit. “Falenderoj Bundestagun, pasi fal tyre janë bindur vendet skeptike. Me metodologjinë e re, ekziston mundësia që të kemi një pezullim të këtij procesi, por ta shohim atë nga ana pozitive. Grupe monitoruese do të fillojnë që nga shtatori në Tiranë.”

Sa i përket krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia, Tabaku u shpreh: “Evropa nuk na la vetëm për tërmetin dhe nuk po na lë vetëm edhe për virusin. Tashmë është në dorën tonë që të menaxhojmë situatën”.