“Duhet një strategji më agresive testimesh”, Cenko: Të testohet kushdo që ka simptoma

Epidemiologu Fabian Cenko u shpreh se tashmë ka ardhur koha që të testohen edhe ata persona që nuk kanë qenë në Itali, por që kanë simptomat e koronavirusit.

“Numrat po rriten dhe vetë tipologjia e Covid-19, aftësia e tij për t’u transmetuar, tregon që numrat në rritje nuk varen vetëm nga masat që po merren aktualisht. Sigurisht që këto masa kanë rëndësinë e tyre për frenimin e virusit, por duhet të ketë kombinim metodash për t’ia arritur qëllimit. Duhet të kemi një strategji më agresive testimesh, nuk po flas për testime në masë, thjesht duhet një protokoll më agresiv testimesh. Janë kapur rastet që kishin shumë arsye për të qenë pozitivë. Sa më shumë rriten rastet, aq më shumë duhet të mendojmë se mund të ketë raste të pakapura në popullatë. Nuk duhen testuar vetëm ata që kanë shenja dhe kanë qenë në Itali sepse Italia i ka mbyllur kufijtë prej dy javësh. Duhen testuar të gjithë ata që kanë simptoma, edhe nëse nuk kanë qenë në Itali”, deklaroi Cenko në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e “Ditari” në A2.

Në lidhje me sigurinë e mjekëve, Cenko theksoi: “E konsideroj element shumë të rëndësishëm mbrojtjen e mjekëve sepse janë nevojë e domosdoshme e luftës që po bëhet sot e do të bëhet nesër. Mjekëve u duhen garantuar kushtet mbrojtëse sepse janë pjesa më e ekspozuar. Duhet të kenë garanci në punën e tyre”.

Kur u pyet nëse po i afrohemi pikut të epidemisë, Cenko tha: “Kam dyshim se ne jemi pranë pikut të epidemisë. Do të vijojë rritja e rasteve në ritmin e këtyre 2-3 ditëve të fundit, është e logjikshme që të ndodhë kështu”.

Mjeku epidemiolog shtoi se karantinimi ka dhënë efekt me siguri, por sipas tij, “do të kishim qenë shumë më keq nëse nuk do të ishim karantinuar”.