Koronavirusi/ Izolimi vë në vështirësi blegtorët, nuk ka veteriner 24 orë

Saimir Qosja është mjek veteriner në zonën e Pezë Helmësit. Gjatë ditëve të vetëkarantinës, ai u shërben blegtorëve vetëm në orët e lejuara për lëvizje. Por, njëlloj si njerëzit, edhe kafshët kanë emergjenca shëndetësore që nuk pyesin për orare. 

“Veterinerët duhet të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë. Aktualisht, nuk arrijmë dot t’i mbulojmë të gjitha rastet”, tregon veterineri.

Sipas mjekut veteriner, konsultat telefonike me blegtorët mund të zgjidhin shumë pak çështje të shëndetit të kafshëve: “Vetëm në 5% të rasteve mund të zgjidhen nga vetë fermerët, në rastet e tjera duhet të jemi ne aty”.

Studimet e deritanishme kanë treguar se kafshët shtëpiake nuk preken nga koronavirusi, por veterineri këshillon të mos neglizhohet vaksinimi i tyre për sëmundjet që kanë lidhje me rrugët e frymëmarrjes.

Sipas specialistit, në situata pandemie të gjitha kafshët, duke filluar nga gjedhi, të imëtat dhe kafshët e shoqërimit, kanë nevojë për kujdes të veçantë. Kjo kërkon zbatimin e skemave të vaksinimit në të gjitha kafshët dhe dezinfektim të stallave.