Koronavirusi në rajon, shtohen të infektuarit në RMV dhe Greqi, 4 viktima në Serbi

greqi koronavirus 1100x620

Koronavirusi vijon të përhapet me shpejtësi në Ballkanin Perëndimor. Greqia raportoi 50 raste të reja me Covid-19, duke çuar shifrën totale në 740 të infektuar. Viktimat në shtetin helen janë 20.

Kryeministri Kiriakos Mitsotakis, në një video mesazh, uroi qytetarët për përvjetorin e pavarësisë dhe iu kërkoi që të qëndrojnë në shtëpi pasi është një mënyrë efikase për të mposhtur këtë pandemi.

Edhe Maqedonia e Veriut raportoi raste të reja, me bilancin total që shkon në 150 të infektuar dhe 2 viktima. Një doktor shqiptar nga Kumanova ishte ndër rastet e fundit të konfirmuar me Covid-19. Ndërkohë autoritetet kanë angazhuar avionë charter për të kthyer qytetarët e mbetur jashtë vendit.

Situatë problematike paraqitet në Serbi, ku numri i viktimave ka shkuar në 4. Të infektuarit janë 303, dhe së fundmi u konfirmuan me koronavirus dy foshnje dhe një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mjedisit. 20 pacientë janë në terapi intensive.

Edhe Mali i Zi nuk po frenon përhapjen e pandemisë. Janë 52 të infektuar, ndërsa një person ka humbur jetën dhe 10 të tjerë raportojnë komplikacione.

Bosnje-Hercegovina raporton mbi 160 të infektuar dhe 3 viktima nga koronavirusi. Tre persona kanë humbur jetën në këtë shtet dhe disa të tjerë janë në terapi intensive. Ndërkohë, pandemia po përhapet me shumë shpejtësi në Kroaci, vend i cili konfirmoi 380 të infektuar me Covid-19 dhe 1 viktimë.