Kryeministri Rama inspekton masat në tregje, thirrje të moshuarve të qëndrojnë në shtëpi – A2

Kryeministri Rama inspekton masat në tregje, thirrje të moshuarve të qëndrojnë në shtëpi

Kryeministri Edi Rama ka vizituar gjatë ditës së mërkurë disa tregje të vegjël në Tiranë për të parë nga afër zbatimin e masave për të luftuar koronavirusin.

Kreu i qeverisë e vlerësoi si pozitive situatën në tregje dhe përsëriti thirrjen drejtuar të moshuarve që të qëndrojnë në shtëpia pasi ata janë më të rrezikuarit nga kjo sëmundje.

“Sot në disa tregje të Tiranës ku situata ishte mjaft pozitive. Problem pensionistët që dalin nga shtëpia, çka është e ndaluar, sepse shkalla e rrezikut për ta është shumë e lartë. Dhe duke qenë se ju njoh mirë, po i dal përpara duke ju thënë aman, mos më shkruani ku e ke maskën e pse s’ke dorashka. E kemi përsëritur që maska e dorashkat nuk janë për kalimtarët, po të sëmurët, ata që kujdesen për një të sëmurë apo ata që e kanë punën me mundësi kontaktesh të afërta në tërësi. Kalimtarët mjafton të respektojnë rregullat, sidomos distancën +1m, mosdhënien e dorës, përdorimin e gropës së brrylit nëse teshtijnë apo kolliten dhe janë të mbrojtur”, shkruan Rama në Facebook.