Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Pasojat e koronavirusit, Themeli: Masat e BSH, të rëndësishme për bizneset. Bankat, asnjë problem likuiditeti

Nga A2 CNN
25 Mars 2020, 20:46 | Ekonomi
Pasojat e koronavirusit, Themeli: Masat e BSH, të rëndësishme

Emergjenca e koronavirusit ka futur në ngërç ekonominë shqiptare, me përqindjen e rritjes që tashmë parashikohet në ulje.

Por sipas Erald Themelit, drejtor i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, institucioni që përfaqëson po merr të gjitha masat për të lehtësuar pasojat e kufizimeve të imponuara nga emergjenca e koronavirusit.

“Do të ketë më shumë interes se kurrë për t’iu drejtuar bankave për kredi nga ana e bizneseve, në këto rrethana ulja e normës bazë të interesit dhe më pas ulja e kostos së kredisë është ndihmë e rëndësishme për familjet dhe sipërmarrjeve shqiptare, mundësi shtesë për të përballuar goditjen”, tha Themeli i ftuar në emisionin A2 Business Week.

I pyetur nëse kjo ulje do të pasohej nga një ulje edhe të depozitave, Themeli shtoi se “qëllimi ka qenë ulja e kostos  së kredisë, nëse bankat do te reagojnë me uljen e normës së interesit të depozitave mbetet për t’u parë, nuk e përjashtojmë, por primare është ndihma e sipërmarrjeve për të kaluar situatën ku ndodhen”.

Disa kanë shprehur frikën që bankat shqiptare mund të mos përballojnë krizën nga pikëpamja e likuiditetit, por drejtori i Politikës Monetare të BSH-së e mohon këtë mundësi në mënyrë të prerë.

“Sistemi bankar ka shëndet të plotë, edhe për pagesat për individët dhe bizneset, ashtu edhe për kapitalizimin. Bankat janë të afta për të përballuar goditjet. Nuk ka asnjë vështirësi operacionale, përtej kufizimeve të orareve. Banka e Shqipërisë është angazhuar që të krijojmë instrumentet që t’i kryejmë pagesat midis bankave pa problem, qoftë në kesh dhe online”, tha Themeli, duke shtuar se Banka ka miratuar “një strategji të injektimit të pakufizuar të likuiditetit në sistem. Pra ne i japim bankave tregtare të gjithë likuiditetin që i duhet, edhe përtej nevojave, për të mbuluar kërkesat e klientëve”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani