Policia vijon gjobat për të “pabindurit” që thyejnë masat kundër koronavirusit – A2

Policia vijon gjobat për të “pabindurit” që thyejnë masat kundër koronavirusit

rruga policia 1100x620

Policia e Shtetit, në deklaratën e përditshme për shtyp, bëri me dije se ka vijuar kontrollet në të gjithë territorin për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Në Tiranë është gjobitur me 700 mijë lekë shtetasi K.B. i cili ka thyer rregullin e vetëkarantinimit. Ky shtetas ka hyrë në Shqipëri më 11 mars dhe është gjetur nga efektivët e policisë jashtë banesës së tij.

Gjithashtu gjatë 24 orëve të fundit janë gjobitur në të gjithë vendin 65 shtetas me 10 mijë lekë të cilët u kapën duke lëvizur në orarin që është konsideruar si i ndaluar. Njëri prej tyre u shoqërua në komisariat dhe u procedua penalisht për kundërshtim të urdhrit të punonjësit të Policisë.

Në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19”, iu është hequr patenta dhe 76 personave.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 9 subjekte tregtie që nuk kanë respektuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, të mos lëvizin as në oraret e lejuara pa ndonjë arsye.