Punonin në Malin e Zi, 13 shqiptarë mbeten në Shkodër – A2

Punonin në Malin e Zi, 13 shqiptarë mbeten në Shkodër

Pezullimi i qarkullimit ndërqytetas të automjeteve ka sjellë probleme për qytetarët të cilët duan të kthehen në banesat e tyre.

I tillë është rasti i 13 shtetasve shqiptarë të ardhur nga Mali i Zi dhe që kanë mbetur në qendër të qytetit të Shkodrës. Prej dy javësh ata punonin në Tuz, por emergjenca e koronavirusit ka detyruar shtetin fqinj t’i kërkojë kthimin në Shqipëri.

Këta shtetas kanë udhëtuar në këmbë nga qyteti i Tuzit deri në pikën doganore të Hanit të Hotit, e prej andej një automjet i ka transportuar deri në Shkodër, ku prej orësh kanë qëndruar në pritje të një automjeti për t’i dërguar në Durrës, Tiranë dhe qytete të tjera. 

Shtetasit shqiptarë bënë me dije se kanë kryer testimet në kufi nga stafi mjekësor dhe disponojnë autorizimin ku rezultojnë negativ me koronavirus.