Rekordi tragjik i Spanjës, 738 vdekje në 24 orë nga koronavirusi

738 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit në Spanjë nga koronavirusi. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga autoritetet atje, numri total i viktimave është rritur në 3434, ndërsa konfirmohen mbi 47600 raste.

Vendi iberik kalon kështu Kinën për numrin më të lartë të viktimave nga covid-19, që numëron 3,281 viktima, duke u renditur i dyti pas Italisë, ku kanë humbur jetën deri tani 6,820 persona.

Autoritetet pritet të vendosin zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri në 11 prill, por vendimi zyrtar do të merret pasdite. Mediat spanjoll raportojnë se Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, ka deklaruar që disa nga masat kufizuese mund të hiqen pas kësaj date, megjithatë, sipas tij, është ende herët për të menduar për skenarë të tillë.

Situata është alarmante edhe në Francë, ku autoritetet raportuan 240 vdekje të reja , për një total prej 1100 viktimash. Franca bëhet vendi i pestë që tejkalon pragun e 1000 të vdekurve pas Kinës, Italisë Iranin dhe Spanjës. Drejtori i Agjencisë së Shëndetit Publik tha në një konferencë se të infektuarit janë rritur në mbi 22300, dhe se me shumë se 2500 persona janë në gjendje kritike për jetën.