Shoqata e Prodhuesve: Nuk ka problem me ushqimet. Masat e qeverisë, më shumë sociale se ekonomike – A2

Shoqata e Prodhuesve: Nuk ka problem me ushqimet. Masat e qeverisë, më shumë sociale se ekonomike

kraja 1100x620

Sipas Sokol Krajës, kryetarit të Shoqatës të Prodhuesve, bizneset e produkteve ushqimore nuk do të kenë probleme të mëdha për të siguruar stoqet për 3 muaj, siç është parashikuar nga qeveria shqiptare, sepse “zakonisht stoku është edhe më i lartë, dhe se duke parë panikun, kompanitë kanë rritur edhe kërkesën në fabrikat europiane për të përballuar skenarin e bllokimit të transportit”.

Kraja madje zbuloi se janë të shumta edhe kërkesat për eksporte të produkteve shqiptare, sidomos nga vende si Spanja dhe Franca që kanë rritur shumë konsumin pas panikut të gjeneruar nga koronavirusi.

Por cila është gjendja e biznesit prodhues këto javë? Për Krajën, problemi fillestar ishte ai i lëvizjes, por pas ditëve të para disi kaotike tashmë nuk përbën një problem parësor. “Problemi i madh është tregu, dhe konsumi, dhe kjo do të çojë në rënien e fuqisë prodhuese ”, thotë Kraja në A2 Business Week.

Sipas tij masat e Qeverisë janë “më shumë sociale se ekonomike”, dhe është e vështirë t’i bësh kërkesa përtej stimulimit të konsumit sepse “nuk ka dhjamin” e qeverive të tjera evropiane, ndërkohë që parashikohet një boshllëk rreth 400 milion euro nga mungesa e të ardhurave tatimore dhe doganore.  

Kraja lavdëron masat e Bankës të Shqipërisë, edhe pse thotë që ulja e normës së interesit, edhe pse pozitive,  nuk është mendimi primar i bizneseve tashmë.

Ai beson se sipërmarrësit nuk do të lënë punëtorët në rrugë, por që do të bëjnë sakrifica madje edhe borxhe për të mbajtur stafin e kualifikuar deri në çastin e fundit, me skenarë alternative si reduktimi i pagës.