Shumë të rinj të shtruar në Itali, spitalet ripërshtaten për pacientët me koronavirus

Në Bergamo ka të paktën 1800 pacientë në të 30-tat, që janë të prekur nga pneumonia e shkaktuar nga Covid-19. Kjo, sipas federatës së mjekëve të familjes në Lombardi tregon qartë se edhe të rinjtë janë të rrezikuar nga virusi i ri.

Shumë spitale në Itali po ripërshtaten për t’u ardhur në ndihmë pacientëve të shumtë me koronavirus. Videoja tregon imazhet e një prej tyre, spitali Kazalpaloko, apo siç njihet “Covid-3”, në Romë. Ai është shndërruar në një qendër ekskluzive për të trajtuar pacientët me koronavirus. Ata janë të intubuar dhe të palëvizur, ndërsa stafi mjekësor përpiqet të komunikojë përmes gjesteve, për shkak të vështirësive me pajisjet mbrojtëse.

Spitali ka 30 shtretër në terapinë intensive me 68 të tjerë që mundësohen për periudhën para dhe pas trajtimit. Në Kremona u inaugurua një spital-kamp me 32 shtretër, që do të drejtohet nga një brigadë prej 52 mjekësh dhe infermierësh të ardhur nga Kuba.