Tabaku: Masat e Qeverisë për koronavirusin, totalisht të pamjaftueshme, krijojnë selektivitet – A2

Tabaku: Masat e Qeverisë për koronavirusin, totalisht të pamjaftueshme, krijojnë selektivitet

3310702c 4b1f 44af a28c b3b6e6897209 1100x620

Plani i qeverisë për të zbutur pasojat e pashmangshme në ekonomi të pandemisë globale të koronavirusit, për ish-deputeten e Partisë Demokratike Jorida Tabaku janë jo vetëm “të pamjaftueshme” por edhe me një fokus të gabuar që mund të ketë sipas saj “pasoja të jashtëzakonshme”.   

Edhe pse PD e ka përshëndetur fillimisht masën, “ si masë në drejtim të një politike të duhur, dhënia e likuiditetit bizneseve dhe familjeve për të rritur konsumin”,  Tabaku në A2 Business Week thotë se analiza e thellë tregon se shifra është pothuajse  e papërfillshme ku “shuma 65 milionë, 0.1% i prodhimit bruto, është e vetmja në dispozicion, sepse fondi i garancisë nuk është  në dispozicion të biznesit, është thjesht një hipotekë që garanton biznesin në mënyrë hipotetike”.

Sipas saj, shuma për bizneset, 11 milionë euro, “do të krijojë selektivitet” si dhe do të shtrojë problemin e kritereve të përfitimit.  

Edhe në pjesën e familjeve në nevojë, shuma e parashikuar mbulon vetëm 1/3 e tyre, sipas Tabakut, pra flitet për 30 mijë familje, në një kohë kur “mbeten jashtë rreth 60 mijë familje”.

Tabaku thotë se një pjesë e bizneseve, si ato të mesme, janë lënë jashtë fokusit të masave. “Duke u marrë vetëm me një pjesë te vogël të shoqërisë, do të ketë pasoja të jashtëzakonshme, janë të gjithë në shtëpi sot”, thotë Tabaku, që shtoi se propozimi i PD-së në të kundërt është brenda logjikës ekonomike shqiptare.