Koronavirusi në Shqipëri, shkon në 174 numri i personave të prekur, mes tyre edhe 4 fëmijë

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka shkuar në 174 numri i personave të prekur nga koronavirusi në Shqipëri, nga të cilët 28 gjatë 24 orëve të fundit.

Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme ndërroi jetë një paciente 71-vjeçare nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19, e shtruar në spitalin Infektiv, në terapi intensive, në frymëmarrje të drejtuar (respirator). Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 71-vjeçarja me hipertension, e shtruar prej 7 ditësh në spitalin Infektiv, nuk arriti të mbijetojë. 71-vjeçarja është viktima e gjashtë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Në shërbimin infektiv, aktualisht janë 73 të shtruar dhe prej tyre 3 raste janë në terapi intensive 2 janë të intubuar, ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Tropojë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Lezhë, Elbasan, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intensitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

  • Tiranë           102 raste
  • Durrës           10 raste
  • Lushnje         4 raste
  • Elbasan         5 raste
  • Rrogozhinë   2 raste
  • Fier               18 raste
  • Kavajë          4 raste
  • Korçë            11 raste
  • Vlorë           5 raste
  • Shkodër        3 raste
  • Lezhë            4 raste
  • Berat             1 rast
  • Has               2 raste
  • Krujë            1 rast 
  • Tropojë          2 raste

Nga të prekurit, rezultojnë 4 raste pozitive të moshës pediatrike, kontakte të rasteve pozitive, janë pa shenja klinike dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Së shpejti, ministria do të hapë Sanatoriumin si spitalin e dytë Covid-19, ndërsa pacientët që ndodhen aktualisht te “Shefqet Ndroqi” do të trajtohen në spitalin rajonal të Elbasanit.