Në vijën e parë të luftës në Itali, flet mjeku shqiptar – A2

Në vijën e parë të luftës në Itali, flet mjeku shqiptar

Alban Beltoja, me profesion anestezist-reanimator, është në vijën e parë të luftës në Lodi të Italisë, një nga zonat më të prekura nga koronavirusi në vendin fqinj.

Në një lidhje me “Skype” në A2, Beltoja u shpreh se shifrat e fundit janë premtuese se situata po shkon drejt përmirësimit. “Përshtypja jonë është se rastet e reja janë në ulje. Dje kishte vetëm 20 raste të reja në zonën e Lodit, por kanë rënë edhe rastet e rënda që po trajtojmë. Në reanimacion, grupmosha më e goditur mbeten personat mbi 60 vjeç. Kemi shumë pacientë, me gjithë rënien e rasteve të reja, pasi këta të sëmurë kanë nevojë për një trajtim të gjatë, deri në 15 ditë”, tha Beltoja.

Më tej, ai theksoi se shumica e viktimave në Lodi kanë edhe sëmundje shoqëruese, madje dy apo tre. “Megjithatë, ne kemi pasur edhe raste kur të paktën në dukje, pacientët nuk kanë pasur probleme dhe kanë ndërruar jetë”.

Beltoja, zbulon se aktualisht në Itali është duke u eksperimentuar një ilaç i ri, i cili është duke dhënë rezultate të mira te disa pacientë.