Paratë për koronavirusin, dhuratë apo hua? Soreca shpjegon 50 milionë eurot

Në përgjigje të pyetjes së A2, nëse paratë që Bashkimi Evropian do të japë për koronavirusin janë dhuratë apo hua, ambasadori i BE-së në vendin tonë theksoi se bëhet fjalë për një grant.

“BE ka premtuar 50 milionë euro për Covid-19.  4 milionë euro për nevoja emergjente si blerje ventilatorësh në spitale apo pajisje për mbrojtje personale; 11 milionë euro do të investohen në mbrojtjen sociale, që do të thotë se me paratë tona do të ndihmojmë qeverinë me programin e asistencës ekonomike për shtresat vulnerabël të shoqërisë; Më tej, rimëkëmbja ekonomike, pasi sektori prodhues po vuan, ka nevojë për mbështetje dhe 35 milionë euro do të jepen për këtë fushë. Nuk është kredi, është grant. BE po shpreh solidaritet me Shqipërinë. Nuk do të ndikohet nga fakti se vetë BE-ja është në një situatë të ngjashme nga virusi” u shpreh Soreca.

Sipas tij, “fondet që u dhanë nga BE-ja për tërmetin nuk do të preken, do të alokohen”.

“50 milionë euro për Covid-19 është tjetër dhe çfarë u premtuan në konferencë janë të tjera”, theksoi ambasadori i BE-së.

Ndërkohë, përsa i përket negociatave, Soreca tha se ishin SPAK, ILD dhe puna për Reformën Zgjedhore që ndikuan pozitivisht te vendet anëtare, edhe pse me kushte, që do të ndahen në dy sete: “Kushtet që Shqipëria të ulet në konferencën ndërqeveritare janë miratimi i Reformës Elektorale që duhet të jetë sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR, transparencë të financimit të partive dhe fushatave zgjedhore. Së dyti, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, finalizimi i strukturave antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar. Shqipëria duhet të forcojë luftën ndaj krimit dhe veçanërisht pastrimit të parave. Duhet të punojë në fusha të ndryshme si migracioni i parregullt, adaptimi i ligjit të medias sipas sugjerimeve të Komisionit të Venecias. Seti i parë i kushteve duhet të finalizohen si fillim para tryezës së parë ndërqeveritare, pjesa tjetër, do jetë pjesë përbërëse e negocimit në vijim”. 

Në 6-mujorin e ardhshëm do të jetë Gjermania që do të marrë presidencën e radhës së BE, që, sipas ambasadorit, do të thërrasë konferencën ndërqeveritare mes BE-së dhe qeverisë shqiptare.