Rrëzimi i Qeverisë, Kurti: Rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme

Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë edhe pas rrëzimit në kuvend, ku deputetët mbështetën me 82 vota pro mocionin e mosbesimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Konfirmimi erdhi nga kryeministri, tashmë në detyrë, Albin Kurti, me anë të një statusi në Facebook. Ai mbështet qëndrimin se shkëmbimi i territoreve mes presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, fshihet pas mocionit të mosbesimit.

“Kuptimi i mosbesimit ishte porosia e ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial”. Sipas Kurtit, kjo “ishte një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme”. Kryeministri në detyrë bëri thirrje për unitet në luftën kundër pandemisë Covid-19. “Mbi të gjitha, le t’i qëndrojmë popullit afër pasi Kosova është shtëpia jonë”, shkruan ai.

Përçarja mes Kurtit dhe liderit të LDK, Isa Mustafa, nisi pas vendimit të kryeministrit për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu i cili kritikoi reagimin e qeverisë për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi. Çështje tjetër që thelloi përçarjen e koalicionit qeverisës ishte dhe ajo e heqjes së taksës 100% të Kosovës ndaj produkteve serbe, të cilën e kishin kërkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Albin Kurti shprehu pëlqimin për pezullimin e pjesshëm të taksës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, por kjo lëvizje u konsiderua e pamjaftueshme nga diplomatët amerikanë në Prishtinë.