Teknologjia kundër koronavirusit, printera 3D për të prodhuar maskat për mjekët

Mjekët zhvillojnë luftën me koronavirusin në frontin e parë. Në një zyrë arkitekture, diku në Rrugën e Kavajës, Dea Buza dhe Albano Guma po luftojnë njëkohësisht me ta. Dy arkitektët po prodhojnë maska mbrojtëse për stafin mjeksor të QSUT-së e më pas të Spitalit të Shkodrës, me printera 3D dhe shpenzimet e tyre.

Nismës për të prodhuar maskat ose “face shield” iu bashkua dhe një tjetër studio, “3D Army”, në mënyrë që së shpejti qendrës spitalore “Nënë Tereza” t’i dërgohen të parat nga 500 që ajo ka kërkuar.

200 të tjera janë porositur nga Spitali i Shkodrës, por të rinjtë kanë nevojë për ndihmë. Një bobinë me filamente që arkitektet e përdornin për projektet e tyre mund të prodhojë 25 maska. E kompletuar dhe me lustrat e llasqiqet që gjenden në kancelari, kosto e një prej tyre shkon në 200 lekë.

Fillimisht, ishte Universiteti i Valencias në Spanjë që dizenjoi dhe nisi prodhimin në 3D të këtyre maskave. Babai i Deas, profesor në Universitetin e Prishtinës mori të drejtën e riprodhimit, duke i ardhur në ndihmë mjekëve në Kosovë e tashmë dhe në Shqipëri.