Ulqinaku: Gjurmimi i të infektuarve po çalon – A2

Ulqinaku: Gjurmimi i të infektuarve po çalon

Epidemiologu i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Dritan Ulqinaku, ka deklaruar se gjurmimi i personave të infektuar me koronavirus “ka raste që çalon”.

“Ka raste që gjurmimi i personave të infektuar çalon dhe unë doja të bëja një thirrje publike të gjithë atyre që janë me koronavirus që të vetëdeklarohen. Nëse deklarohen, ai që ka pasur kontakt me të do të vetëkarantinohet”, deklaroi Ulqinaku.

Kur u pyet për numrin e testimeve, Ulqinaku theksoi se “testi nuk është ilaç”, por sipas tij, vlen vetëm për statistikë.

“Nuk ka vlerë bërja e testit. Nëse një person është i infektuar, por nuk është në fazën klinike, ai del negativ, e fle mendjen dhe mund të infektojë shumë persona më pas. Testi nuk është ilaç, është për të zbuluar sa më shumë raste. Është për statistikat tona. Por, ne i konsiderojmë të gjithë si të prekur rastet me temperaturë dhe i trajtojmë njësoj. Të gjitha rastet me vështirësi në frymëmarrje, temperaturë dhe kollë, ta konsiderojnë veten me COVID-19 dhe të qëndrojnë në kontakt me mjekun e familjes. Por, mos të kenë panik, pasi është një sëmundje me vdekshmëri të ulët. Ne kemi zgjedhur të testojmë vetëm ata që kanë simptoma klinike”, shpjegoi Ulqinaku.

Sipas tij, “situata është e përballueshme dhe të gjithë kanë marrë trajtimin e duhur”.

“Rastet është normale që të shtohen sepse është një sëmundje e re, që ka përhapje më të lartë sesa gripi normal. Rritja në SHBA dhe Spanjë është më eksponenciale, nëse ne do të kishim atë rritje, do të numëronim 150 raste të reja në ditë”, nënvizoi Ulqinaku.