Binjakët, dy rrëfime plot jetë në këtë kohë izolimi

Jeta di të prevalojë mbi vdekjen, edhe në këto kohë të trishta. Sepse bebe plot jetë lindin këto ditë duke na dhënë mesazhe të shpresës.

Një fëmijë është një gëzim, por dy duket si një bekim i vërtetë. Kështu ka ndodhur edhe në familjen Pengili. Në këtë shtëpi, dy të rinj sapo kanë pritur bashkë me vajzën e tyre Chloe-n, edhe dy beba të tjerë.

Ishte 21 mars kur Sandra solli në jetë Hansin dhe vajzën Michelle, që janë motra dhe vëllai i Chloe-s së bukur, një vajze 4-vjeçare që këto kohë ka qëndruar në shtëpi për të pritur mrekullitë që do t’i sillnin prindërit.

Vetëm në redaksinë e A2 këto ditë izolimi stafi është shtuar me 3 fëmijë të shëndetshëm, që pa diskutim na sjellin mesazhin më të bukur në tokë, atë të jetës. Këta janë dhe binjakët që lindën më 17 mars 2020 në Tiranë. Mariglen Mulla, reporteri që shpesh e keni parë përmes ekranit, tanimë ka një detyrë tjetër: t’i qëndrojë pranë familjes në emër të jetës.

Sepse jeta do të triumfojë sërish. Sepse të tilla mesazhe po marrin jetë sot nga shumë ballkone të botës, nga shumë shtëpi, edhe nga shtëpia jonë, ajo e A2, që i uron të gjithë këtyre fëmijëve një jetë të gjatë e të mbushur me gëzime.

Ne do t’ia dalim!