Po zhduken dorezat, prodhuesi më i madh në botë: Nuk prodhojmë dot sasi të mjaftueshme

Prodhuesit e dorezave japin alarmin për mungesë në përmbushjen e kërkesave për furnizim. Një nga prodhuesit kryesor të dorezave për përdorim mjekësor, siҫ është Malajzia, ka paralajmëruar për një krizë të mundshme në prodhimin e tyre.

Për shkak të masave të marra për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19, prodhuesit malajzianë kanë ulur kapacitetet e tyre prodhuese. Prodhuesi më i madh në botë, Kompania “Top Glove Corp. BHD”, deklaroi se kërkesat e SHBA-së dhe Evropës tejkalojnë kapacitet prodhuese.

Malajzia ka kufizuar lëvizjen në të gjithë vendin, duke urdhëruar pjesën më të madhe të bizneseve të qëndrojnë mbyllur, ndërsa u kërkon pjesës tjetër të punojnë me staf të reduktuar për të parandaluar përhapjen e mëtejshme te COVID-19.

Qeveritë në mbarë botën janë dukë bërë përpjekje të dëshpëruar për të siguruar materiale mjekësore të tilla si maska, doreza, ventilatorë etj, pasi personeli në vijën e parë përballet me mungesa të pajisjeve bazë mjekësore.

Sipas Shoqatës Malajziane të Prodhuesve të Dorezave, drejtues të kompanive prodhuese do të takohen me zyrtarë të lartë të Ministrisë të Tregtisë, për të kërkuar miratim që fabrikat e tyre të punojnë me staf të plotë.

Denis Low, Presidenti i shoqatës deklaroi se industria malajziane furnizon rreth 67% të tregut botëror, me një sasi vjetore prej 345 miliard njësi. Ai gjithashtu u shpreh se edhe nëse punohet me kapacitet të plotë, kërkesat e ditëve të sotme janë dyfish me të larta se kapaciteti prodhues.