Rritja e pazakontë, euro kap nivelin e 128,1 lekëve

Goditje e fortë në tregun e këmbimit. Euro ka kapërcyer nivelin e 128,1 lekëve. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, bëhet fjalë për një rritje ditore prej 2,77 lekësh.

Ky është niveli më i lartë që ka shënuar monedha evropiane në dy vjet, që prej prillit të vitit 2018. Në rritje të fortë janë edhe valutat e tjera, si dollari amerikan dhe paundi britanik. Ekspertët vlerësojnë se bëhet fjalë për një situatë artificiale, e ndikuar kryesisht nga pasiguria e lartë, veçanërisht pas lajmeve për goditje të sektorëve të turizmit dhe eksporteve, që janë edhe gjeneruesit kryesorë të valutës.

Nga ana tjetër, në treg po konstatohet një mungesë fizike e euros. Kjo për shkak të mbylljes së fluturimeve ajrore të disa linjave me Tiranën. Burime nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur për A2 se janë marrë masat që kjo çështje të zgjidhet dhe pritet që së shpjeti bankat të sjellin euron fizike nëpërmjet një charter-i.

Një tjetër element që mendohet se po ndikon në forcimin e euros është edhe mosaktivizimi i parasë nga aktivitetet informale, që për momentin po qëndron e fjetur, për shkak të pezullimit të aktivitetit ekonomik në vend.