SHBA kalon Kinën, ka numrin më të madh të infektuarve me koronavirus në botë

USA 1100x620

Dita e sotme ka qenë dramatike për Shtetet e Bashkuara për sa i përket përhapjes së koronavirusit. Sipas të dhënave të fundit, vetëm ditën e sotme të infektuarit e rinj me COVID-19 janë shtuar me më shumë se 15 mijë raste, duke kaluar numrin total të Kinës.

Tashmë të infektuarit në SHBA janë 83,663, duke lënë pas edhe Italinë, që gjithsesi ka një bilanc të vdekurish shumë më të lartë, 8215 kundër 1209 të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, Pekini ka deklaruar se do të mbyllë kufijtë për të huajt duke filluar nga 28 marsi, nga frika e një rikthimi të koronavirusit, kësaj radhe nga turistë ose persona të ardhur nga vende të infektuar. Vendimi drastik përfshin edhe të huajt që ndodhen jashtë Kinës, por kanë vizë ose leje qëndrimi, ndërkohë që shtetasit kinezë mund të kthehen, duke iu nënshtruar një periudhe karantine.