SHBA, të infektuarit nga COVID-19 janë 100 mijë persona

trump 100 1100x620

Shtetet e Bashkuara janë tashmë shteti ku përhapja e koronavirusit po merr dimensione masive. Sipas të dhënave të fundit, SHBA-ja kaloi kufirin e 100 mijë të infektuarve, duke zënë vendin  e parë në renditjen fatkeqe të pacientëve të infektuar nga virusi.

Rreth 15 mijë të infektuar janë regjistruar vetëm ditën e sotme, ndërkohë që të vdekurit në 24 orët e fundit janë 264, për një total prej 1559, larg nga Italia ku vdekjet tashmë po i afrohen 10 mijë personave.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në konferencën e tij për shtyp, tashmë ditore, që ka firmosur Production Defense Act,  ligjin e kohës së Luftës së Dytë Botërore që detyron industritë të prodhojnë materiale të dobishme për shtetin.

Në rastin konkret, Trump do të urdhërojë gjigantin General Motors të prodhojë ventilatorët që shërbejnë për të mundësuar frymëmarrjen e pacientëve me COVID-19.  Presidenti polemizoi sërish me guvernatorin e Nju Jorkut Cuomo, duke cilësuar se ai ishte “i painformuar dhe jo korrekt” pasi kishte deklaruar se ventilatorë ndodheshin të papërdorur në depozita.