Edhe markat e famshme botërore respektojnë distancat

Jo vetëm njerëzit. Edhe disa nga markat më të famshme në botë kanë nisur ta zbatojnë distancimin social, duke filluar nga logot e tyre.

McDonald’s, Coca-Cola, Audi dhe Volkswagen janë disa nga korporatat e mëdha që kanë gjetur një mënyrë të veçantë për të përçuar mesazhin e respektimit të një prej masave më shumë të rekomanduara për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri, Covid-19.

Distancim social është termi që përkufizon udhëzimin për të qëndruar të paktën 1,5 metra larg njëri-tjetrit për të mos lejuar përhapjen e virusit te njerëzit.

Edhe pse nisma është për t’u përshëndetur, ekspertët e marketingut theksojnë se mesazhi përmes humorit rrezikon të zbehë seriozitetin e situatës kur ndodhemi. “Kjo nuk është shaka”, tha për CNN Business Douglas Sellers, drejtor ekzekutiv i krijimtarisë në kompaninë e marketingut Siegel+Gale. “Logot mund të zvogëlojnë rëndësinë e mesazhit bazë, që është ruajtja e distancës, por vlerësohet krijimtaria dhe dëshira për të dhënë këtë mesazh të rëndësishëm”, shtoi ai.