Koronavirusi në Itali, Roma u dërgon pako me ndihma tifozëve të moshuar

Në këto kohë krize nga pandemia koronavirus, bota po përjeton një moment tejet të vështirë dhe të paprecedentë. Ndihma dhe aktet e mirësisë në mbarë globin po kthejnë optimizmin mes njerëzve që tashmë duhet të përballen me realitetin e ri.

Ky është rasti në kryeqytetin italian, aty ku klubi i Romës ka nisur shpërndarjen e pakove ushqimore me ndihma për tifozët më të rrezikuar nga Covid-19. Italia mbetet një prej vendeve më të goditur nga virusi i ri, me më tepër se 86 mijë të infektuar dhe mbi 10 mijë viktima. I gjithë vendi është në karantinë, duke bërë që moshat e treta të mbeten të izoluar dhe pa ndihmë.

Për të ndihmuar në këtë situatë delikate, klubi verdhekuq nisi shpërndarjen e pakove “Roma care”, për tifozë mbi 75-vjeçarë. Pakot përmbajnë makarona, biskota, një shishe birrë, maska për fytyrën, doreza, shishe me dezinfektues, si edhe edicionin e ditës së “Gazzeta dello Sport”.

Gjithashtu, Roma organizoi edhe një surprizë për tifozin e abonuar në moshë më të madhe, 97-vjeçarin, Eliseo Lorenzetti. I lindur në vitin 1923, vetëm katër ditë përpara themelimit të klubit, dhurata për Lorenzetti-n ishte një fanellë e firmosur nga ylli i skuadrës, Edin Dzeko.

Javën e kaluar, ekipi i Romës njoftoi se do të blejë edhe tre ventilatorë dhe tetë shtretër të ndihmës së shpejtë për t’ia dhuruar një prej spitaleve të kryeqytetit italian. Klubi ka arritur të grumbullojë mbi 500 mijë euro të cilat do të jepen në luftën kundër koronavirus, ndërsa nuk kanë munguar edhe donacionet me mbi 27 mijë maska dhe shishe dezinfektuese për spitalet rajonale.