Koronavirusi, kryebashkiaku i Londrës kërkon ndihmën e klubeve të Premier League

SADIK KHAN SINK frame 208 1100x620

Kreu i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan iu ka dërguar një letër 9 klubeve futbolli në kryeqytet ku iu kërkon ndihmë në përballimin e luftës ndaj koronavirusit.

Ai iu kërkon klubeve të dy divizioneve kryesore, përfshirë këtu Arsenalin, Chelsea dhe West Ham që të ndihmojnë bashkinë me staf mjekësor, doktorë madje dhe të ofrojnë stadiumet e tyre, në rast se do të jetë e nevojshme, për akomodimin e të prekurve.

Tottenhami nuk është përfshirë në letrën e Sadiq Khan, pasi aktualisht ky klub është duke e ndihmuar bashkinë e Londrës.

“Ndërsa punojmë së bashku për të trajtuar kërcënimin e koronavirusit, shpirti komunitar i klubeve të futbollit në Londër ka shkëlqyer. Shumë prej tyre kanë ofruar tashmë mbështetje dhe po ndihmojnë komunitetet e tyre lokale. Këtë javë, unë iu kam shkruar klubeve të Premier League dhe Championship duke përshkruar se çfarë mund të bëjnë ata për të ndihmuar NHS tonë fantastike dhe unë jam mirënjohës për përgjigjen jashtëzakonisht pozitive që kemi marrë”, deklaron kryebashkiaku Khan.