Shtohen të infektuarit me koronavirus në Kosovë, shkojnë në 10 viktimat në Maqedoninë e Veriut

koronavirusi Kosove 1100x620

Kosova ka regjistruar 13 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit duke e çuar në 125 numri total të prekurve nga kjo epidemi në vend.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë bëri me dije se të gjithë personat e infektuar me Covid-19 janë raste kontakti, pjesa më e madhe e të cilëve në Topanicë.

Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut është shënuar një tjetër viktimë nga ky virus duke e çuar në 10 numri total të personave që kanë humbur jetën.

Ministri i Shëndetësisë Filipçe tha se viktima ishte një grua 65-vjeçare nga Llabunishta e Strugës, që vuante nga disa sëmundje të tjera.

Të mërkurën në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 25 raste të reja ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 354.

Ministri Filipçe siguroi edhe njëherë se vendi i ka kapacitetet për trajtimin e pacientëve me Covid-19 dhe shtoi se piku i pandemisë së virusit pritet të arrihet në fund të muajit prill.