Shkoi në lokal me 20 shokë, arrestohet ish-kampioni i botës

kampioni 1 1100x620

Ish-kampioni i botës në maratonë dhe fitues i medaljes së bronzit në Olimpiadën e vitit 2012 në Londër, Wilson Kipsang, u arrestua në Kenia, pasi shkeli shtetrrethimin. 38-vjeçari shkeli masat në luftën kundër pandemisë së Covid-19, ku nga ora 19:00 e pasdites deri në 05:00 të mëngjesit nuk lejohet qarkullimi.

Kipsang u ndalua në një lokal, duke konsumuar pije alkoolike së bashku me 20 persona të tjerë, mes të cilëve edhe një politikan lokal. Të gjithë u ndaluan nga policia dhe mbeten në paraburgim. Ngjarja ndodhi në Iten, një qytet në Kenia që frekuentohet shumë nga atletët, të cilët stërviten në lartësinë 2500 metra mbi nivelin e detit.

Viti 2020 është për t’u harruar për ish-kampionin e botës, që në muajin janar u pezullua nga Njësia e Integritetit të Atletikës me dy akuza: e para ishte shkelje e normativës për kontrollet dhe e dyta, që tentoi të manipulonte, madje mund të ketë manipuluar dokumentacionin e anti-doping. Në vitin 2013, në Maratonën e Berlinit, Kipsang regjistroi rekordin e botës, me kohën 2:03.23, primat i cili mbeti në fuqi për një vit, deri në momentin që u thye nga keniani tjetër, Dennis Kimetto.