Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Ahmetaj: Qiratë janë shtyrë për të shmangur konflikte sociale

Nga A2 CNN
7 Prill 2020, 20:01 | Ekonomi
Ahmetaj: Qiratë janë shtyrë për të shmangur konflikte

Arben Ahmetaj, ministri i Shtetit për Rindërtimin, i ngarkuar nga qeveria edhe për koordinimin dhe drejtimin e punës ndërmjet ministrive dhe institucioneve për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, deklaroi në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e “Ditari” në A2 se qeveria ndërhyri në pagesën e qirave për të shmangur konflikte sociale.

“Ne nuk hyjmë në marrëdhënie ku favorizojmë njërin dhe godasim tjetrin. Ne po shtyjmë pagesën e qirave për të shmangur konflikte, ku dikush shkon dhe nxjerr dikë nga shtëpia. Logjika është që në kohë lufte, qiradhënësi dhe qiramarrësi mos të hyjnë në konflikt për shkak të pamundësisë së likuiditeteve. Qeveria u ka kërkuar palëve që të shtyjnë pagesat. Ne e kemi shtyrë pagesën e dy muajve dhe ata detyrohen ta riskedulojnë”, tha Ahmetaj.

Ministri theksoi se “janë 60 442 punonjës të biznesit të vogël që do të përfitojnë 26 000 lekë në muaj për periudhën e pandemisë. Vetëm dje është autorizuar pagesa për 9500 punojnës, sot janë aprovuar rreth 5000 të punësuar”.

“Ky grup prej 60 442 punonjësish e ka pasur 731 milionë pagën, ndërsa qeveria ua ka dyfishuar këtë pagë. Kjo është ndihmë e menjëhershme dhe e drejtpërdrejtë. Këta persona janë të papunë, për shkak të urdhrave të qeverisë dhe qeveria ka qenë prezente me mbështetje me anë të “pagës së luftës”. Në kohë lufte nuk mund të pretendosh që të jetosh si në kohë normale. Përsa i përket ndihmës ekonomike, qeveria ka aprovuar për 70 000 familje dyfishimin e ndihmës”, u shpreh Ahmetaj.

Kur u pyet mbi ndikimin që do të ketë në ekonomi “paralizimi” i bizneseve, Ahmetaj tha: “Shteti i merr paratë nga taksat dhe ne llogarisim që do të humbasim 12% të të ardhurave totale të vitit për 3 muaj. Ne po e rrisim borxhin për shkak të të ardhurave që nuk i kemi dhe për shkak të zgjerimit të paketave”.

Sipas Ahmetajt, “paketa është fleksibël, pasi dinamika e ngjarjeve është e tillë që ndryshon çdo ditë” dhe për këtë arsye në paketa mund të përfshihen edhe bizneset e mëdha.

“Paketa është dinamike, po vëzhgojmë çdo ditë sektorët dhe nënsektorët. Po vëzhgohet me kujdes terreni ekonomik dhe po presim të gjykojmë mbi atë që duhet të bëjmë”, theksoi Ahmetaj.

A2 CNN Livestream

Dita jonë