Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Ekipi dikur i lavdishëm çudit botën, shet 120 mijë bileta për një ndeshje fantazmë

Nga A2 CNN
8 Prill 2020, 21:19 | Futboll

Më shumë se ekipeve elitare, “ngrirja” e kampionateve për shkak të koronavirusit po rrezikon falimentimin e ekipeve më modeste në Evropë, edhe të atyre që dikur kanë patur një lavdi ndërkombëtare.

Njëri prej këtyre ekipeve është Lokomotiva e Lajpcigut. Të rinjtë, edhe në Gjermani, sot pothuajse nuk e dinë ekzistencën e këtij ekipi, që mburret me 3 tituj gjerman dhe një Kupë para Luftës së Dytë Botërore, si dhe 4 Kupa të Gjermanisë Lindore.

Një histori më se dinjitoze në Evropë, ku arriti në 1987 edhe në finalen e Kupës së Kupave, i mundur nga një gol i Marco Van Basten në finalen me Ajaksin.  

Pas bashkimit të Gjermanisë, për Lokomotivën pati vetëm rënie, dhe tashmë luan në serinë e katërt gjermane. Financat mbahen më se shumti tek tifozët, ata që nuk harrojnë se Lajpcigu i vërtetë është ky, dhe jo ai i sotmi që rivalizon Bayernin në Bundesliga, i cili  ka lindur “artificialisht” vetëm në 2009.  

Por bllokimi i kampionatit ka vënë në vështirësi ekipin, i cili ka menduar të rikthejë pikërisht në këto kohë të vështira lavdinë e dikurshme. Ata kanë sfiduar qytetin e tyre duke vënë në shitje bileta për një ndeshje misterioze kundër një rivali po aq të panjohur, por me një datë të përcaktuar, në 8 maj. Objektivi? Të arrihen 120 mijë biletat, plus një. Kjo sepse në vitin 1987, për ndeshjen kundër Bordeaux, u shitën pikërisht 120 mijë të tilla.

Një çmenduri, do të thotë shumëkush. Por ja që tifozët u përgjigjën si asnjëherë, edhe përtej qytetit. Brenda pak ditëve janë shitur rreth 113 mijë bileta me çmimin simbolik 1 euro, dhe mungojnë ende ditë për të thyer “rekordin”. Se në cilin stadium do të luhej një sfidë e tillë, mbetet për t’u parë, por ndërkohë financat e klubit mund të marrin sërish frymë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë