Kreu i OBSH kërkon t’i jepet fund politizimit të Covid-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë bën thirrje për unitet, ndërsa kohëve të fundit sulmohet vazhdimisht nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Deklaratave të fundit të kreut të Shtëpisë së Bardhë, u është përgjigjur drejtori i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili mbron punën e OBSH-së dhe kërkon që t’i jepet fund politizimit të Covid-19.

“Fokusi i të gjitha partive politike duhet të jetë shpëtimi i jetëve. Ju lutem mos e politizoni këtë virus. Ai shfrytëzon dallimet që ju keni në nivel kombëtar. Nëse dëshironi që të jeni të shfrytëzuar dhe të keni trupa të tjerë të pajetë, atëherë bëjeni”, tha drejtori i OBSH-së.

Trump tha më herët se po shqyrton heqjen e financimit ndaj agjencisë së Kombeve të Bashkuara. Ai akuzoi OBSH-në për mungesë vëmendjeje ndaj Shteteve të Bashkuara dhe për fokus të tepruar ndaj Kinës.

Gjithashtu, presidenti amerikan tha se OBSH-ja dështoi në kundërpërgjigjen e saj ndaj kësaj pandemie. Ghebreyesus hodhi poshtë këto akuza duke nënvizuar se çdo shtet është mbështetur në këtë krizë globale.

“Pse duhet të shqetësohem për sulmet që vijnë ndaj meje kur njerëzit po vdesin? Po humbasim jetë çdo minutë. Fokusi im është shpëtimi i jetëve. Ne nuk bëjmë politikë në OBSH, por kujdesemi për të varfrit dhe për ata që kanë më tepër nevojë”.

Më tej, kreu i OBSH-së nënvizoi se agjencia funksionon konform rregullave dhe u zotua të bënte gjithçka për t’i shërbyer njerëzimit.