Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Forcat “Shqiponja” përplasen me Orges Bilbilin, dy të plagosur

Nga A2 CNN
10 Prill 2020, 12:10 | Kronikë

Një efektiv i forcave Shqiponja plagosi me armë në këmbë një qytetar që ditën e sotme në vend të dokumentit identifikues i nxori armën duke e kërcënuar dhe e qëlloi.

Ngjarja ndodhi në zonën e Xhamllikut në Tiranë, ku për pasojë mbeti e plagosur edhe një kalimtare rastësisht në zonë, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Drejtori i Policisë së Tiranës, tha se personi dyshohet të jetë me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i shpallur në kërkim. Pas disa minutash ai u identifikua si Orges Bilbili, i cili së bashku me Laert Haxhinë akuzohen se janë autorët e vrasjes së Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës në 2017 në Lushnje. I riu ishte në kërkim dhe për plagosjen Xhulio Shkurtit dhe Sajmo Xhelilit.

Drejtori i policisë së Tiranës, Rebani Jaupi tha se polici ka qënë duke ushtruar një kontroll rutinë, ndërsa ka hasur rezistencë duke qëlluar në drejtim të tij dhe duke e lënë të plagosur në këmbë, ndërsa  një qytetare është plagosur nga plumbi i policit.

Deklarata e plotë e policisë

Strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të monitorimit të zbatimit të masave shtesë nga qytetarët, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë vijuar edhe ditën e sotme të ushtrojnë kontrolle të shumta, jo vetëm në rrugët kryesore, por edhe në brendësi të lagjeve, kryesisht në zonat urbane.

Në këtë kuadër, në Tiranë, në rrugën " Sitki Çiço", në afërsi të një shkolle, punonjësi i Policisë së forcës së posaçme "Shqiponjat", i ka kërkuar një shtetasi lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit.

Shtetasi Orgest Bilbili, 30 vjeç, nga Lushnja, e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes.

Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe gjatë ndjekjes 30-vjecari i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë.

Punonjësi i Policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi Orgest Bilbili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë.

Në zbatim të procedurës standarde të punës, punonjësi i Policisë ka qëlluar njëherë në ajër për ta paralajmëruar, ndërkohë që 30-vjeçari i ka drejtuar armën, për të qëlluar punonjësin e Policisë.

Në këto rrethana punonjësi i Policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë.

Fatkeqësisht, është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe shtetasja M. P., rreth 30 vjeçe, kalimtare e rastit.

Nga verifikimet e bëra rezulton se shtetasi Orgest Bilbil ishte person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda kundër personit në qytetin e Lushnjës.

Gjithashtu i dënuar dhe me 7 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale ”Trafikim i narkotikëve”.

Aktualisht ky shtetas është arrestuar dhe ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.

Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes.

Policia e Shtetit i uron shërim të shpejtë shtetases M. P. dhe garanton opinion publik se është e vendosur të përballet me cilindo që shkel ligjin e aq më tepër guxon të godasë punonjësit e Policisë.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të vijojnë të zbatojnë rregullat dhe t’i binden urdhrit të punonjësit të Policisë, duke kontribuuar të gjithë së bashku për parandalimin e përhapjes së COVID-19 , si dhe në krijimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët.

A2 CNN Livestream

Dita jonë