Gjurmimi i të infektuarve, Apple dhe Google bëhen bashkë kundër pandemisë Covid-19

Apple dhe Google bashkojnë forcat kundër virusit pandemik. Dy kompanitë e mëdha po zhvillojnë së bashku një teknologji për t’i lajmëruar personat nëse kanë rënë në kontakt së fundmi me të infektuar me Covid-19.

Kjo mënyrë gjurmimi do të ndihmojë qeveritë në frenimin e përhapjes. 

“Jemi të bindur se nuk ka pasur kurrë një moment kaq të rëndësishëm për të punuar së bashku në zgjidhjen e një problemi global. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me shkencëtarët, qeveritë dhe organizatat shëndetësore publike, shpresojmë që teknologjia do të mund të ndihmojë botën në ngadalësimin e përhapjes së Covid-19 dhe rikthimin e jetës së përditshme”, lexohet në një komunikatë të Google dhe Apple.

Në muajin maj, Apple dhe Google do të bëjnë të disponueshme “instrumente për inxhinierët që po projektojnë aplikacionin për institucionet botërore, i cili do të lejojë dialogun dhe ndërveprimin midis pajisjeve Android dhe IOS”.

Ata do të krijojnë dhe një platformë gjurmimi të bazuar në Bluetooth. Dy kolosët e teknologjisë sigurojnë garantimin e privatësisë, transparencës dhe dhënien e pëlqimit nga përdoruesit, të cilët kanë një rëndësi të madhe në këtë përpjekje kundër Covid-19.