Koronavirusi vijon të marrë jetë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e Serbi

koronavirusi Kosove 1100x620

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë njoftoi se një person tjetër ka humbur jetën nga pandemia Covid-19 gjatë ditës së hënë, duke e çuar në 8 totalin e viktimave nga virusi vdekjeprurës me origjinë nga Kina.

Viktima është një grua 38-vjeçare nga Istogu, e cila u diagnostikua një ditë më parë me koronavirus dhe që raportohet që vuante dhe nga sëmundje të tjera.

Aktualisht në Kosovë, me këtë sëmundje janë infektuar 362 persona, ndërsa 59 janë shëruar.

Në Maqedoninë e Veriut, numri total i viktimave nga koronavirusi ka arritur në 38, pasi vetëm gjatë ditës së sotme u regjistruan 4 humbje jete.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, dy viktima janë regjistruar në Shkup një në Veles dhe një në Prilep.

Gjatë 24 orëve të fundit në RMV u raportuan 26 raste të reja të të infektuarve me koronavirus duke e çuar totalin në 854. Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup me 316 raste dhe Kumanovë 211.

Bilanc tragjik është regjistruar nga pandemia dhe në Serbi gjatë 24 orëve të fundit.

Autoritetet raportuan se 5 persona kanë humbur jetën ditën e fundit dhe bilanci i përgjithshëm ka arritur në 85. Në këtë vend, deri më tani janë 4054 raste të konfirmuara të të infektuarve me koronavirus.