“Muzikë për shpresën”, Bocelli këndon në katedralen e boshatisur të Milanos

Ishin “tinguj për shpresën” ato që erdhën nga katedralja e Milanos mbrëmjen e së dielës.

Tenori italian Andrea Bocelli  performoi si kurrë më parë, në ambientet e boshatisura të Duomos, por për qindra mijëra vetë që e ndoqën online në të dielën e Pashkëve katolike.

“Muzika për shpresën”, u quajt eventi, dhe i tillë ishte mesazhi që tenori përcolli në nisje të tij, ndërsa shfaqeshin imazhet e qytetit të zbrazët të Milanos.

Në ditën kur festojmë besimin në një jetë që triumfon, jam i nderuar që t’i them po ftesës së qytetit dhe Duomos së Milanos. Besoj në fuqinë e lutjes, besoj në Pashkë si simboli i rilindjes, diçka për të cilën të gjithë kanë nevojë tani. Përmes muzikës, ne sot e përqafojmë zemrën që pulson të kësaj bote të plagosur”, deklaroi tenori i njohur.

 Tingujt magjikë të “Panis Angelicus”, “Ava Maria”, “Sancta Maria” dhe “Domine Deus”, u shoqëruan me pamje të qyteteve të Bergamos, Breshias, Venecias dhe Milanos.

Tenori u zhvendos më pas në hyrje të katedrales për të kënduar “Amazing Grace”, ndërsa imazhet e rrugëve të Parisit, Londrës dhe Nju Jorkut shoqëruan zërin e tij. Gati gjysmë milion njerëz ndoqën “lutjen” live në internet, siç e quajti Bocelli në një intervistë më herët gjatë javës.