Rritja e numrit të të prekurve, Kosova shtrëngon masat kundër koronavirusit

Rritja e ndjeshme e të prekurve me koronavirus në Kosovë në ditët e fundit dhe vendosja e 3 komunave në karantinë, ka detyruar autoritetet e këtij vendi të ndërmarrin masa më të forta në vijim për të parandaluar përhapjen e metëjshme të pandemisë vdekjeprurëse.

Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, përmes një konference për shtyp, njoftoi se masat e reja do të hyjnë në fuqi nga e mërkura dhe do të zgjasin deri më 4 maj. Në to parashikohet një kufizim i shtuar i lirisë së lëvizjes.

“Për personat fizikë, për moshat mbi 16-vjeçare, lejohet qarkullimi për furnizim në mallra të domosdoshme si ushqim, barna për njerëz dhe kafshë apo edhe shpezë dhe produkte higjienike dhe për të kryer detyrat dhe nevojat financiare si pagesat apo punët bankare, për vetëm një orë e gjysmë në ditë sipas orarit të përcaktuar ditor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal (në lejet e njoftimit”, deklaroi Vitia.

Po ashtu sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë orarit të lejuar të lëvizjes, personat duhet të mbajnë të mbuluar gojën dhe hundën me maska dhe të ruajnë distancën prej 2 metrash nga personat e tjerë. Do të ndalohet edhe lëvizja e makinave në komuna përveç në disa raste, që kanë të bëjnë me nevojat e operatorëve ekonomikë.

Për shkelësit e këtyre masave janë parashikuar masa administrative tepër të rënda që variojnë nga 1000-8000 euro.

“Mos respektimi i masave të përcaktuara me këtë vendim konsiderohet sipas ligjit si kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë prej 1 mijë deri në 2 mijë euro për personat fizikë dhe 3 mijë deri në 8 mijë euro gjobë për personat juridik”, shtoi Vitia.

Ministri Vitia deklaroi gjithashtu se në orët e fundit u regjistruan 15 raste të reja me koronavirus, duke çuar bilancin total të të prekurve në 377.