SHBA larg kontrollit të përparimit të koronavirusit, pesimizëm në NBA

nba 1100x620

Shumë pak optimizëm për një rikthim të mundshëm të sezonit aktual të NBA. Fakti që SHBA-ja është shumë larg kontrollit të përparimit të koronavirusit që ka paralizuar gjithë botën, e bën situatën shumë pesimiste.

NBA ishte nga sportet e para që u ndalua, me lojtarët kryesorë që e mbështetën pezullimin, por që nuk e dinë akoma se kur do të nisë sërish basketbolli amerikan apo edhe sa duhet të presin. Duke lënë mënjanë uljet e pagave dhe pasojat që mund të vijnë nga një anulim përfundimtar, drejtuesit e NBA janë përqendruar në zhvillimin e një plani në rast se autoritetet shëndetësore japin dritën jeshile për garat sportive me ose pa publik.

NBA po mendon se mund të ketë një periudhë 25-ditore përgatitje përpara se Shtëpia e Bardhë të japë zyrtarisht OK për zhvillimin e garave sportieve. Një detyrë mjaft e vështirë, ku duhet kujdesur për çdo detaj me më të rëndësishmen përgatitja, shëndeti dhe siguria e basketbollistëve.

Situata bëhet akoma më e vështirë kur shumë lojtarë nuk janë në gjendje të ruajnë formën e dëshiruar fizike, ndërsa të tjerët nuk kanë një kosh ku të ushtrohen, kështu që drejtuesit mendojne t’u japin pak më shumë kohë për t’u përgatitur.

Plani i detajuar synon 11 ditë trajnime individuale fizikisht dhe teknikisht në vendet e zakonshme, duke respektuar rregullat e distancës. 14 ditë stërvitje në grupe në stilin e një parasezoni, i cili do të shërbejë jo vetëm si një karantinë e domosdoshme pas periudhës së parë, por edhe marrjen e ritmit për pjesën më të vështirë, por të rëndësishme të sezonit 2019-20.