“Kosova ngatërroi prioritetet”, Edita Tahiri për A2: Dinamika politika u vendos para shëndetit publik

Edita Tahiri, ish-ministre e Integrimit të Kosovës, në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2, u shpreh se në kohën e pandemisë, “Kosova ngatërroi prioritetet”.

“Në vend që të vendosë të parin shëndetin publik, dolën dinamika politike dhe krijuan tensione të panevojshme për këtë kohë”, theksoi Tahiri.

Kur u pyet për deklaratën e analistit amerikan James Hooper, i cili tha se ka një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por mundësia e vetme që të implementohet marrëveshja është shkëmbimi i territoreve, Tahiri u përgjigj: “Shkëmbimi i territoreve u mbyll në Samitin e Berlinit, por siç duket, Thaçi e Vuçiç nuk ishin të kënaqur me vendimin e Gjermanisë dhe Francës. Si duket, kanë provuar të trokasin në derën amerikane. Nga ato që kam lexuar unë, autoritetet amerikane e kanë mohuar tezën e shkëmbimit të territoreve. Por, problemi është te ne që flasim me dy zëra. Nga njëra anë është Thaçi i vetëm dhe nga ana tjetër skena politike. Fakti që flasim me dy zëra ka krijuar konfuzion te ndërkombëtarët. Qeveria e re duhet të unifikojë zërin dhe të thotë se Kosova është e gatshme për bisedime me Serbinë, por që kufijtë nuk ndryshojnë”.