Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Lamallari nga Shkodra: Janë dyfishuar masat ndaj të pabindurve, qytetarët të ndërgjegjësohen

Nga A2 CNN
15 Prill 2020, 09:04 | Aktualitet
Lamallari nga Shkodra: Janë dyfishuar masat ndaj të pabindurve,

Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, koordinator në Shkodër për pandeminë e koronavirusit, foli në Dita Jonë mbi masat e marra në këtë qytet, i cili deri tani ka regjistruar 71 raste me Covid-19, duke u renditur pas Tiranës.

“Impresioni i parë ishte jo dhe shumë i mirë, pasi kishte turma njerëzish në rrugët e qytetit. Të gjithë institucionet të bëjnë rolin e tyre në të mirë të qytetit të tyre dhe të qytetarëve. Në fund të ditës, një peshë të madhe ka ndërgjegjësimi i qytetarëve për rrezikun real që i kanoset atyre”, u shpreh Lamallari.

Zëvendësministri i Brendshëm theksoi se ka pasur një marrëdhënie të frytshme mes institucioneve dhe tashmë janë marrë edhe masat e para në tregjet e qytetit, për të shmangur grumbullimet.

“Nga një inspektim që bëra mëngjesin e sotëm, duket një lloj normalizimi. Ka patrulla policie në çdo zonë të qytetet, ku efektivët kujdesen që qytetarët të zbatojnë rregullat në këto ditë të vështira”.

Lamallari u shpreh se ka pasur një dyfishim të masave ndaj qytetarëve. “Dëshiroj që masat administrative të marra nga policia të mirëkuptohen. Ato merren për mirëqenien, shëndetin e qytetarëve. Ditën e djeshme ka pasur 161 masa ndaj të pabindurve, një rritje me 50 përqind krahasuar me një ditë më parë. Kjo nuk është lojë, nuk është shaka. Ata që ndëshkohen mund të revoltohen, por duhet të kuptojnë se është për të mirën e të gjithëve”, u shpreh zëvendësministri i Brendshëm.

Ai foli edhe për përdorimin e dronëve në luftën ndaj koronavirusit. “Kjo është një çështje e njëjtë me kamerat në kryqëzime. Kjo i shërben rendit dhe sigurisë publike. Interesi për këtë është shumë më i lartë se privatësia. Kamerat e sigurisë, dronët, janë mekanizma shumë efektivë për regjistrimin e shkelësve. Kjo është një eksperiencë e përdorur edhe në rastet e shkeljeve të kodit rrugor. Teknologjia është një mjet shumë efikas”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani