Koronavirusi në rajon, 26 raste të reja në Kosovë

koronavirusi Kosove 1100x620

Kosova regjistron 26 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, duke çuar totalin në 449 të infektuar. Prej tyre, 17 janë pjesë e personelit shëndetësor.

Virusi pandemik u ka marrë jetën 11 personave në këtë shtet, ndërsa së fundmi u shëruan 8 pacientë.

Autoritetet e shëndetësisë në Kosovë përsërisin thirrjen ndaj banorëve që të respektojnë distancën e sigurisë dhe nëse është e mundur të qëndrojnë në shtëpi.

Në anën tjetër, Serbia raporton një bilanc tepër tragjik nga koronavirusi. 103 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 5300 vetë janë infektuar që prej shpërthimit të pandemisë. Në orën 16:00 të pasdites, në Serbi do të nisë izolimi total më i gjatë i vendosur ndonjëherë, për plot 3 ditë.

Shifrat janë rritur ndjeshëm edhe në Maqedoninë e Veriut, që numëron më shumë se 1 mijë të infektuar dhe 46 viktima. Ndërkohë, Greqia raporton më shumë se 2200 të prekur nga Covid-19 dhe 105 viktima.