“Misteri krijon kuriozitet dhe kurioziteti është baza e dëshirës së njeriut për të kuptuar”, thoshte astronauti i njohur Neil Armstrong.
Sot do të shuajmë një tjetër kuriozitet duke folur për Jupiterin, planet i cili përbëhet kryesisht nga gazi dhe që nuk ka një sipërfaqe të ngurtë. Fillimisht do të shohim se çfarë do të ndodhte nëse një astronaut do të tentonte ta eksploronte planetin më të madh të sistemit tonë diellor.
Njerëzit kanë eksploruar Hënën, Marsin dhe natyrisht Tokën. Por çfarë dimë për Jupiterin?
“Jupiteri dhe Saturni bëjnë pjesë në kategorinë e atyre që quhen planetë gjigantë, të cilët janë kryesisht të përbërë nga gazet, hidrogjen dhe helium. Kjo ndodh për arsye të pozicionit që këto planetë kanë në raport me diellin. Duke qenë shumë më larg se sa Toka, nxehtësia është shumë e vogël, kështu që gazi i tyre nuk ka energji të mjaftueshme për t’iu larguar gravitacionit”, shpjegon astrofizikania Mimoza Hafizi. “Edhe Toka në fillimet e saj ka pasur përbërje gazore, por për arsye të temperaturës më të lartë, ky gaz është larguar dhe ka mbetur vetëm një mbështjellje e vogël, që është atmosfera. Jupiteri është mbi 99% i përbërë nga gazi, hidrogjen dhe helium”.
Në pjesën më të madhe, ky gjigant gazi është një mister.
Le të imagjinojmë se jemi gati të hidhemi në këtë planet dhe kemi veshur një kostum hapësinor. Por duke ditur se Jupiteri nuk ka një sipërfaqe të ngurtë, vetëm një atmosferë në dukje të pafundme, a do të kalonim përmes tij? Çfarë do të shihnim gjatë rrugëtimit tonë? Dhe si do të na bënte të ndiheshim?
Fillimisht duhet të dimë se për të ndërmarrë këtë aventurë, do të na duhet një kostum hapësinor shumë special, pasi ai i zakonshmi nuk na bën punë. Në një distancë prej 300 mijë kilometrash nga Jupiteri, rrezatimi i lartë do ta digjte kostumin normal dhe për pasojë do të vdisnim. Por ne kemi një tjetër kostum hapësinor special, atë imagjinar që na mbron nga çdo gjë. Këtu nisin dhe zhvillimet interesante.
Në fillim, do të biem nga maja e atmosferës me afro 180000 km / orë. Kjo është shumë më shpejt sesa ju biem nga maja e atmosferës së Tokës sepse graviteti i Jupiterit është shumë më i fortë se ai i planetit tonë.
Do të jemi akoma në gjendje ta shikojmë diellin, por mos prisni që të na ngrohë. Pasi të kemi zbritur 250 km poshtë do të arrijmë në retë e amoniakut dhe do të provonim temperatura deri në -150 gradë celsius.
Tani, përgatitemi për vorbullën dhe stuhinë më epike të jetës sonë. Retë e Jupiterit krijojnë erëra të fuqishme, deri në 482 km / orë. Do të ndjeheshim sikur jemi brenda një tornadoje gjigande, shumëngjyrëshe. Kjo pasi Jupiteri është planeti që rrotullohet më shpejt në sistemin tonë Diellor. Një ditë në këtë planet është e barabartë me 9.5 orë Tokë.
“Jupiteri ka qenë gjithmonë planeti më i madh i Sistemit Diellor dhe si i tillë, me fushën e tij gravitacionale, ka ndikuar në të gjithë zonën rreth e rrotull. Mendohet që ka penguar formimin e një planeti që duhet të ndodhej mes tij dhe Marsit dhe është burimi i një numri të madh asteroidesh që ndodhen në këtë zonë, që për arsye të forcave gravitacionale dhe afrohen edhe pranë orbitës së Tokës. Megjithatë, po ta shohim nga pikëpamja e sotme, ai tërheq pjesën më të madhe të trupave të rrezikshëm për jetën në planetin tonë”, thotë Hafizi.
Zbresim dhe 120 kilometra më poshtë. Urime! Kemi arritur në pikën më të thellë të eksploruar ndonjëherë në këtë gjigant gazi. Në vitin 1995, sonda Galileo e NASA-s e udhëtoi deri në këtë pikë përpara se të shkatërrohej nga presioni i atmosferës së Jupiterit.
“Njihet një kometë, para rreth 20-30 vitesh, e cila është përplasur mbi Jupiterin dhe është copëzuar. Nga mënyra se si copat kanë depërtuar në thellësi, ka shërbyer si mënyrë për të marrë informacion për strukturën e brendshme”, shpjegon Hafizi.
Por mos u shqetësoni, kjo nuk do të na ndodhë ne. Sa më tepër të zbresim, aq më errësirë do të bëhej, derisa të mbizotëronte plotësisht vetëm ngjyra e zezë. Burimi i vetëm i dritës që do të kemi do të jetë nga stuhitë e rrufeve që ndodhin përreth nesh. Në këtë pikë, temperatura do të fillojë të rritet, dhe madje mund të ndjehemi rehat nëse nuk do të ishte për presionin e jashtëzakonshëm fizik që do të ndjejmë. Ky presion do të ishte 1.000 herë më i lartë se në sipërfaqen e Tokës. E vetmja mënyrë që ne të mund të mbijetojmë është nëse kostumin hapësinor do ta ndërtonim si nëndetësen më të thellë të zhytjes të të gjitha kohërave.
Deri më tani, kemi 12 orë që vetëm po biem, dhe le të jemi të sinqertë: po mërzitemi pak. Sigurisht që do të dëshironim që të thërrisnim dikë në radio që të vinte dhe të na merrte. Por sa keq që kjo nuk është e mundur brenda Jupiterit; pasi valët radiofonike nuk funksionojnë në këtë thellësi të atmosferës së planetit.
“Shkenca sot ka një model të gjithëpranuar për strukturën e brendshme të Jupiterit. Ka pasur sonda hapësinore të cilat janë afruar dhe në fazën e fundit të jetë së tyre, janë lëshuar në rënie të lirë në sipërfaqen e Jupiterit në mënyrë që të dërgojnë informacion. Por koha është shumë e shkurtër, pasi forca është aq e madhe saqë këto objekte menjëherë shkatërrohen”, tregon Hafizi.
Thjesht do të vazhdonim të binim. Temperatura do të vazhdojë të rritet, dhe po kështu edhe presioni. Ndërsa arrijmë në shtresat e brendshme të Jupiterit, do të kemi pjesë në të cilat do të mund dhe të notonim. Kjo për shkak të një substance që nuk është mjaft e lëngshme ose gaz, e njohur si lëngu superkritik.
Duke lëvizur përmes këtij materiali të çuditshëm, temperatura do të nxehet edhe më shumë. Përfundimisht, do të jetë e barabartë me sipërfaqen e diellit. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, do të pësonim gjithashtu presion 2 milion herë më të lartë nga ai që është në Tokë. Hidrogjeni metalik do të fillojë të formohet, dhe ne do të rrethoheshim prej tij. Kjo substancë relativisht e panjohur mund të jetë një lëng i dendur nga i cili nuk do të mund të shpëtonim.
Por të imagjinojmë se ia dolëm të largoheshim. ne do vazhdonim të binim në atmosferë për mijëra kilometra të tjera derisa të arrinim në bërthamë të Jupiterit, që me shumë mundësi do të ishte një objekt i ngurtë. Disa shkencëtarë mendojnë se është e tillë për shkak të presionit shumë të lartë në këtë pikë të planetit. Ky presion fizik i jashtëzakonshëm do tna bllokonte përjetësisht në këtë top gjigant gazi.
“Dihet që është një planet që nuk mund të zhvillojë jetë, as ai dhe as gjithë kategoria e planetëve gjigantë. Edhe në gjithë planetët jashtë Sistemit Diellor që kërkohet sot, kategoria që kërkohet për mundësi të zhvillimit të jetës janë planetë të ngjashëm me Tokën, pra deri në 8 ose 10 herë në masë më të madhe se Toka. Kurse Jupiteri është gjigant, ka masë 300 herë më të madhe se Toka, kështu që nuk bëhet fjalë për forma të jetës”, tregon Hafizi. “Por ndodh që rreth këtyre planetëve gjigantë mund të ketë satelitë, të cilët kanë masa më të vogla dhe aty mund të zhvillohet jeta”.
“Para dy muajsh, u mbyll një fushatë dhe shqiptarët vendosën për një planet jashtë Sistemit Diellor, që të emërtohej me emrin Arbër. Ai sillej rreth një ylli që ishte i ngjashëm me diellin dhe mori emrin Iliran. Ky planet është i ngjashëm me Jupiterin, është planet gjigant, por ndodhet shumë më afër me diellin e tij se sa Jupiteri jonë, duke bërë që temperaturat të jenë tepër të larta”.
Sado thellë që të shkojmë dhe çfarëdo që të bëjmë duket se nuk do të mund të shpëtonim gjallë nga Jupiteri. Duhet ta pranojmë se nuk do të ishte një udhëtim shpërblyes dhe mbase duhet ta shohim këtë planet si një mister të bukur dhe të qëndrojmë në Tokën tonë aq miqësore me ne. Ky ishte emisioni imagjinatë dhe për këtë radhë, bashkë do të ritakohemi sërish, në imagjinatën e radhës. (A2 Televizion)