COVID-19 në rajon, 12 viktimat në Kosovë, Serbia ka numrin më të lartë të të infektuarve

kosovo coronavirus scaled 1 1100x620

Shkon në 12 numri i viktimave nga koronavirusi në Kosovë. Një pacient 70-vjeçar, me sëmundje të tjera shoqëruese ndërroi jetë gjatë orëve të fundit.

Kosova raportoi edhe 31 raste të reja me koronavirus të premten, duke çuar totalin në 480 të infektuar. Prej tyre, 17 janë pjesë e personelit shëndetësor.

Autoritetet e shëndetësisë në Kosovë përsërisin thirrjen ndaj banorëve që të respektojnë distancën e sigurisë dhe nëse është e mundur të qëndrojnë në shtëpi.

Në Maqedoninë e Veriut u raportuan 3 viktima dhe 36 raste të reja, ku numërohen gjithsej mbi 1100 të prekur dhe 49 vdekje.

Ndërkohë, Serbia vazhdon të ketë numrin më të lartë të të infektuarve në rajon, me mbi 5600 raste e 110 viktima. Në Greqi, shifrat duket të jenë nën kontroll, ku Athina zyrtare deklaron mbi 2200 persona të infektuar dhe 108 të vdekur.