Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Epidemiologu Ylli: Kujdes me rihapjen. Jemi gati edhe për një valë të dytë

Nga A2 CNN
20 Prill 2020, 19:43 | Aktualitet
Epidemiologu Ylli: Kujdes me rihapjen. Jemi gati edhe për një

Sikurse disa vende të tjera të Evropës dhe botës, edhe Shqipëria po flet për hapjen dhe po merr edhe masa konkrete, lidhur me atë që quhet normalizimi. Për epidemiologun Alban Ylli, rihapja po nis atëherë kur duhet.

“Unë besoj se duke parë numrat, situatën dhe nivelet e riskut, është momenti i duhur për të filluar një proces të tillë, por do të doja ta shoqëroja me mesazhin se është ende shpejt për të menduar se ky virus doli nga qarkullimi. Duhet të jemi vigjilent dhe të kujdesshëm. Të gjithë duhet të vijojnë bashkëpunimin me rekomandimet e dhëna nga autoritetet, në mënyrë që Shqipëria të quhet një histori suksesi në kontrollin e pandemisë”, tha Ylli në një bisedë me A2. “Është plotësisht e mundur që me rihapjen e menjëhershme të kemi një rikthim dhe të humbim atë që kemi arritur deri tani”.

Epidemiologu tregoi edhe pritshmëritë e specialistëve të shëndetit publik në Shqipëri për valën e të infektuarve në Shqipëri. “Mendonim se gjatë muajit prill do të kishim 50 raste të reja, por asnjëherë se do të kishim mbi 100 raste në ditë. Pra mendonim që në maj do të kishim rreth 1000-2000 raste, por kemi mbetur në nivelin e 600 rasteve. Duket shumë e vështirë që pas sheshimit të kurbës të kemi skenarët mesatarë”, tha ai.

Ai shtoi se numri i rasteve të reja të konfirmuara çdo ditë dhe mesatarja javore, tregojnë se koronavirusi është mbajtur në kontroll. “Virusi në Shqipëri po qarkullon në vatra, nuk ka arritur të shpërthejë në popullatë, prandaj i kemi një pamje më të plotë se çfarë po ndodh. Numri i të shtruarve tregon atë pjesë të pandemisë që është më e fortë dhe kjo në një farë mënyrë tregon se ne ishim të përgatitur për të përballuar 700-800 raste të shtruar. Sistemi ynë shëndetësor është i gatshëm për të përballuar edhe një valë të dytë të kësaj pandemie”.

Ylli mendon se në disa vende perëndimore masat u morën me vonesë, ndërsa në Shqipëri ato ishin të suksesshme. “Është e para herë në histori që janë marrë masa të tilla, mund të themi që kanë qenë edhe më të suksesshme se sa parashikoheshin.  Ka pasur edhe faktorë të tjerë, si mosha mesatare e popullsisë., urbanizimi, ndoshta ndonjë element me imunitetin e popullatës, ende i paprovuar. Por masat kanë qenë sukses i jashtëzakonshëm”, tha ai.

A2 CNN Livestream

Dita jonë